Drejtori dhe fara
Ke kujdes se çfarë po mbjell tani, se ajo do të përcaktojë se çfarë do të korrësh më vonë – dhe mos gënje.
Një drejtor i suksesshëm ishte plakur dhe e dinte se ishte koha për të zgjedhur një pasardhës që të merrte përsipër udhëheqjen e ndërmarrjes së tij. Në vend që të zgjidhte njërin nga drejtuesit e reparteve të tij ose njërin nga fëmijët e tij, ai vendos që të bëj diçka tjetër. Ai i ftoi në mbledhje të gjithë drejtuesit e reparteve.
Ai ju tha kështu: “Ka ardhur koha që unë të jap dorëheqje dhe të zgjedh një drejtor të përgjithshëm të ri. Kam vendosur që të zgjedh njërin prej jush”. Drejtuesit e rinj u befasuan, por ai vazhdoi. “Unë do t’i jap secilit prej jush një farë sot – një farë shumë të veçantë. Dua që ju ta mbillni farën, ta ujiteni dhe të ktheheni këtu pas një viti me atë që keni rritur nga fara që ju kam dhënë. Unë do të gjykoj pastaj bimët që ju i sillni dhe do të zgjedh drejtorin e ri të ardhshëm ekzekutiv”.
Njëri nga drejtuesit quhej Bardhyl, dhe ishte gjithashtu aty. Si të tjerët, e mori edhe ai një farë. Ai shkoi në shtëpi dhe me entuziazëm i tregoi gruas. Gruaja i ndihmoi që të gjente një vazo, e mbushën me dhe të freskët dhe pleh, dhe e mbollën farën.
Çdo ditë e ujiste Bardhyli farën dhe shikonte sa a është rritur. Pas rreth tre javësh, disa nga drejtuesit e tjerë filluan të flisnin për farat e tyre dhe bimët që po fillonin të rriteshin. Bardhyli vazhdoi të kontrollonte farën e tij, por asgjë nuk rritej.
Kaluan tre javë, katër javë, pesë javë, akoma asgjë. Deri tani, të tjerët po flisnin për bimët e tyre, por Bardhyli nuk kishte bimë dhe ai ndjehej se kishte dështuar.
Kaluan gjashtë muaj – por ende asgjë në vazon e Bardhylit. Ai mendonte se fara e tij ishte qelbur. Të gjithë të tjerët kishin bimë të larta, por ai nuk kishte asgjë. Megjithatë, Bardhyli nuk ju tha asgjë kolegëve të tij. Ai e ujiste vazon dhe donte që fara të rritej.
Pas një viti të gjithë drejtuesit e reparteve i sollën farat e tyre tek drejtori i përgjithshëm për inspektim. Bardhyli i tha gruas së tij se ai nuk do të merrte një vazo të zbrazët në punë. Por ajo kërkoi që ai të ishte i sinqertë për atë që kishte ndodhur. Bardhylit i përzihej barku, ky do të ishte momenti më i turpshëm i jetës së tij, por e dinte se gruaja e tij kishte të drejtë. Ai mori vazon e tij të zbrazët në dhomën e bordit.
Kur arriti Bardhyli, ai u habit nga shumëllojshmëria e bimëve të rritura nga drejtuesit e tjerë. Ato ishin të bukura – në të gjitha format dhe madhësitë. Bardhyli e vuri vazon e tij të zbrazët në dysheme dhe shumë kolegë të tij qeshën, disa ndienin keqardhje për dështimin e tij!
Kur mbërriti drejtori i përgjithshëm, ai e vëzhgoi dhomën dhe përshëndeti të gjithë. Bardhyli u përpoq të fshihej në fund të sallës. “Sa bukuri, sa bimë të mëdha, pemë dhe lule keni rritur”, tha drejtori. “Sot njëri prej jush do të emërohet drejtor i ri i ardhshëm!”
Papritur, drejtori e vërejti Bardhylin në fund të sallës me vazon e tij të zbrazët. Ai e urdhëroi drejtorin financiar që ta sillte Bardhylin në ballë të sallës. Bardhyli u tmerrua. Ai mendoi: “Drejtori e di se kam dështua! Ndoshta ai do të më dëboj nga puna!”
Kur Bardhyli u afrua, drejtori e pyeti atë se çka kishte ndodhur me farën e tij. Bardhyli i tregoi atij gjithçka që kishte ndodhur, që nga fillimi.
Drejtori i pyeti të gjithë që të uleshin, përveç Bardhylit. Ai e shikoi Bardhylin, dhe më pas ju tha drejtuesve tjerë: “Shikoni tani para jush drejtorin e ri të përgjithshëm, Ai quhet Bardhyl!”
Bardhyli nuk mund të besonte. Ai nuk kishte mundur ta rriste farën e tij. Si mund të ishte drejtori i ri, e jo dikush tjetër?
Pastaj drejtori i përgjithshëm tha, “Një vit më parë, unë ju dhashë të gjithëve në këtë dhomë një farë. Unë ju thashë që ta merrni farën, ta mbillni, të ujiteni dhe ta sillni atë sot. Por unë ju dhashë të gjithëve fara të ziera; nuk ishte e mundur që ato fara të rriteshin. Të gjithë ju, përveç Bardhylit, më kanë sjellë bimë dhe lule të bukura.
Kur e keni parë ju se fara nuk po rritet, ju keni shkuar në dyqan dhe e keni blerë një farë që i ngjante farës që unë ju kam dhënë juve. Bardhyli është i vetmi me guxim dhe ndershmëri për të më sjellë një vazo me farën time në të. Prandaj, ai është tani dhe ai do të jetë drejtori i ri ekzekutiv i kësaj ndërmarrje! ”
- Nëse mbjell ndershmëri, do të korrësh besim.
- Nëse mbjell mirësi, do të korrësh miq.
- Nëse mbjell përulësi, do të korrësh madhështi.
- Nëse mbjell këmbëngulje, do të korrësh kënaqësi.
- Nëse mbjell konsideratë, do të korrësh perspektivë.
- Nëse punon shumë, do të kesh sukses.
- Nëse mbjell falje, do të korrësh pajtim.